Kjo databazë është krijuar nga organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – QKGH. Qëllimi i kësaj databaze është që të tregojë nivelin dhe shtrirjen e patronazhit politik - politizimin e institucioneve publike të Kosovës nga anëtarë dhe militantë të partive politike - si dhe të monitorojë në vazhdimësi trendin e këtij politizimi.
Databaza është publikuar për të shërbyet si një mjet online në shërbim të gazetarëve, hulumtuesve dhe të interesuarve tjerë për të analizuar apo edhe për të përcjellë trendin e politizimit të institucioneve publike.
Databaza përmban këto të dhëna: Emrin dhe mbiemrin e zyrtarit, institucionin ku punon, pozitën, përshkrimin e pozitës, datën e emërimit, partinë politike të cilës i takon, lidhjen konkrete me partinë politike, vazhdimësinë e ushtrimit të funksionit ndër vite dhe komuna nga cilat vijnë zyrtarët.
Përmes kësaj databaze mund të filtrohen të dhëna të ndryshme dhe të shihet politizimi në secilin institucion veç e veç, cilat pozita janë më së shumti të politizuara, cila parti është më e shtrirë në secilin institucion, trendin e shtirjes së patronazhit ndër vite si dhe analiza dhe krahasime të tjera.
Këto të gjetura, përkatësisht krijimi i kësaj databaze është bërë pasi janë kontrolluar regjistrat e deklarimit të pasurisë të 2 mijë e 132 zyrtarëve të lartë publik, të cilët janë punësuar përmes konkurseve publike. Nga ky numër janë gjetur të dhëna faktike se 249 zyrtarë të lartë publik kanë lidhje direkte/zyrtare me partitë politike.
Kriteret për ta përcaktuar përkatësinë partiake të një zyrtari të lartë publik me një parti politike kanë qenë që: a) zyrtari i lartë publik të ketë konkurruar në zgjedhje lokale dhe parlamentare për ndonjë subjekt politik; b) zyrtari të ketë rezultuar se ka qenë ose është anëtar i organeve të partive politike në struktura qendrore apo të degëve nëpër komuna, apo që; c) zyrtarët të kenë pasur poste politike në të kaluarën, si p.sh këshilltarët politik, e që pas një kohe kanë marrë pozita të larta publike përmes konkurseve.
Për të arritur në këtë përfundim, pra të konstatimit të lidhjes partiake të një zyrtari të lartë publik me një parti politike, Preportr, ka krahasuar emrat e 249 zyrtarëve me: a) listat zgjedhore komunale dhe nacionale të vitit 2007; b) listat zgjedhore nacionale të vitit 2010; c) listat zgjedhore lokale të vitit 2013; d) në disa raste janë shfrytëzuar edhe listat zgjedhore nacionale të vitit 2014, për të vërtetuar lidhjen e zyrtarit me partinë politike dhe; e) informacione zyrtare të marra nga faqet elektronike të partive politike rreth anëtarëve të këshillave drejtuese dhe të degëve të partive politike.
Të dhënat e siguruara për lidhjet partiake të 249 zyrtarëve të lartë publik kanë pikë referente vitin 2010, kur edhe ka filluar publikimi i regjistrave të deklarimit të pasurisë nga Agjencia kundër Korrupsionit. Pra, numri total prej 249 zyrtarëve të lartë publik që gjenden në këtë databazë dhe që janë gjetur të dhëna faktike që vërtetojnë prapavijën partiake të tyre vlen vetëm për zyrtarët që i kanë marrë postet nga viti 1999 dhe të cilët kanë vazhduar të punojnë të paktën deri në vitin 2010. Ndërsa, të gjithë ata zyrtarë të lartë publik me prapavijë partiake që mund të jenë punësuar që nga viti 1999 dhe që kanë ushtruar funksionin vetëm deri në vitin 2009, ka qenë e pamundur të identifikohen dhe të përfshihen në këtë hulumtim. Kjo për arsye të pamundësisë së verifikimit të emrave që kanë qenë të punësuar në pozitat ekuivalente duke qenë se regjistrat e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik janë bërë publike nga viti 2010.
Kjo databazë reflekton gjendjen përkitazi me politizimin e institucioneve publike deri në fund të viti 2014. Çohu dhe QKGH, do të vazhdojnë të përditësoj këtë databazë me të dhëna të reja në fillim të vitit 2016.
Kategoria | Institucioni | Emri dhe mbiemri | Pozita | Përshkrimi i pozitës | Data e emërimit | Partia | Lidhja me partinë | Perioda e punës |
---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Ndërmarrje Publike | NP Eko-Rexhioni | Xhamali Haxhimustafa | Drejtor | Drejtor gjeneral | 2010-03-26 | PDK | Këshilltar komunal në Komunën e Rahovecit | Prej 2010 Deri 2012 |
Ministri | MASHT | Xhavit Dakaj | Sekretar | Sekretar I Përgjithshëm në MASHT | 2011-06-08 | PDK | Kandidat për këshilltar komunal në Komunën e Lipjanit në vitin 2007. Udhëheqës i personelit në Komunën e Lipjanit deri më 2010 | Prej 2011 Deri 2014 |
Ministri | MPB | Xhavit Gubetini | Udhëheqës | Udhëheqës i sektorit për Regjistrim të Automjeteve në Departamentin për regjistrim të automjeteve në MPB | 2015-02-09 | PDK | Në vitin 2012 është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të degës së PDK-së në Prishtinë. Ka qenë delegat në Konventën e 7-të të PDK-së që është mbajtur në vitin 2016. | Prej 2015 Deri 2015 |
Ministri | MSH | Xhavit Hajdari | Ish- Drejtor | Ish- drejtor i spitalit rajonal të Gjilanit | 2007-12-10 | LDK | Kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në vitin 2007 dhe anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Gjilan | Prej 2007 Deri 2012 |
Ndërmarrje Publike | Kompania R. e Ujësjellsit Hidromorava | Xheladin Zenuni | Drejtor i bordit | Drejtor i bordit | 2015-10-30 | LDK | Ka qenë drejtor i Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Vitisë. Ka qenë kandidat për këshilltar komunal në zgjedhjet lokale të vitit 2009 | Prej 2015 Deri 2016 |
Ndërmarrje Publike | Kompania R. e Ujesjellesit Hidrodrini | Xhelal Shabani | Zyrtar | Zyrtar kryesor financiar | 2010-05-25 | LDK | Kandidat këshilltar komunal në Komunën e Gjilanit në vitin 2009 | Prej 2010 Deri 2014 |
Ndërmarrje Publike | Kompania R. e Mbeturinave Higjena | Xhelal Shabani | Zyrtar | Zyrtar kryesor financiar | 2015-04-15 | LDK | Kandidat i LDK për këshilltar komunal në Gjilan me 2007 | Prej 2015 Deri 2015 |
Ministri | MASHT | Xhemajl Fejzullahu | Anëtar i Këshillit Drejtues | Anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Ferizajt | 2016-03-01 | LDK | Ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt nga LDK. Ka qenë kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj. | Prej 2016 Deri 2016 |
Ndërmarrje Publike | Posta e Kosovës | Xhevdet Smakiqi | U.d Drejtor | U.d drejtor në PTK | 2012-11-08 | PDK | Anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së. Ish-këshilltar i ministrit në MTPT Fatmir Limaj në vitin 2008 | Prej 2012 Deri 2014 |
Ministri | MPJ | Ylber Hysa | Ambasador | Ambasador i Kosovës në Maqedoni | 2012-02-27 | Ora | Kandidat për kryetar të Prishtinës në vitin 2007. Njëri nga themeluesit e ish-partisë ORA | Prej 2012 Deri 2014 |