Në mesin e të gjeturave tona kemi vetëm një rast ku zyrtari në çdo periudhë të deklarimit të pasurisë paraqet bilancin 0 (zero) të parave të mbajtura në banka, pavarësisht faktit se i njëjti merr pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Në rrethana të zakonshme kjo nuk paraqet ndonjë problem praktik, por në aspektin e funksionimit të mekanizmit të deklarimit të pasurisë, paraqitja e parave të gatshme në vlerën e njëjtë, në këtë rast 0 euro e në raste të tjera shuma fikse ndër vite, shtuar faktit se shuma e njëjtë ndër vite e parave të mbajtura në një institucion bankar nuk mund të jetë përherë e njëjtë, se paku do të ulej për mirëmbajtjen e llogarisë, paraqet edhe një segment të mungesës së seriozitetit të procesit në mënyrën se si është rregulluar i njëjti.