Problematikat e deklarimit të pasurisë

Kjo platformë është krijuar nga organizata ÇOHU! dhe ka për qëllim të shërbej si një mjet informues për këdo që ka interesim mbi procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në Kosovë. Të dhënat e publikuara japin një përfytyrim të problematikave që e përcjellin këtë proces, parë nga dimensionet e luftës kundër korrupsionit.

Në këtë databazë është përshirë analizimi i regjistrave të pasurisë për 71 zyrtarë publik të cilët kanë ushtruar apo vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike nga viti 2010 e deri sot. Për konsideratë janë marrë individë me ndikim të madh në sferën institucionale dhe publike, kryetarë të partive, deputetë të disa legjislaturave me radhë, drejtorë prokurimi në dikasterët qeveritar që kanë pasur buxhet më të lartë, drejtorë ekzekutiv në kompanitë publike dhe kryetarë komunash. Kriteri themelor për përfshirjen në hulumtim ka qenë që këta individë të klasifikimeve të mësipërme, të kenë qenë të paraparë për të deklaruar pasurinë në së paku tri vite.

Problemet e gjetura në regjistrat e pasurisë janë klasifikuar në 21 problematika që lidhen me pasurinë e paluajtshme, pasurinë e luajtshme, të hyrat, paratë e gatshme si dhe paraqitja e bizneseve apo aksioneve.

Të dhënat e vizuelizuara janë të ndara në pesë kategoritë kryesore të regjistrave të deklarimit, ku për secilën kategori janë paraqitur problematikat e gjetura me rastet individuale për çdo zyrtar.
Për secilën problematikë tregohet numri i rasteve të gjetura dhe përshkrimi për secilin rast së bashku me regjistrat e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve.
Gjithashtu në platformën online është edhe lista e të gjithë zyrtarëve të shqyrtuar ku për secilin nga ta janë të përmbledhura detaje nga regjistrat dhe të gjeturat e hulumtimit.

Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë është të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë.

Problematikat e identifikuara dhe paraqitja jo e saktë e të dhënave pamundëson vërtetësinë e krijimit të pasurive të reja.

Ky fenomen nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse në tri rrafshe:

a) Ose zyrtarët e lartë publikë të obliguar për të deklaruar pasurinë, nuk janë duke e bërë mirëfilli këtë obligim ligjor me shkas për të fshehur pasurinë e tyre të cilën mund ta kenë krijuar në mënyrë të paligjshme;

b) Ose zyrtarët gabojnë me rastin e paraqitjes së të dhënave të tyre dhe AKK-ja nuk merret me verifikimin e saktësisë së të dhënave;

c) Ose AKK-ja vërtetë ka shumë mangësi në ushtrimin e funksionit të saj dhe paqartësi në mandatin e saj, si nga aspekti i mungesës së kuadrove profesional që janë të thirrur për të vërejtur këto mangësi, ashtu edhe në aspektin e ushtrimit të kompetencave ligjore të cilat mund edhe të mos jenë të mjaftueshme.